Ahmeti: Nuk heqim dorë nga presidenti konsensual

29

Kreu i integristëve, Ali Ahmeti, duke komentuar zhvillimet e fundit politike në Klan Maqedoni, vlerësoi se Marrëveshja e Prespës është një hap shumë i rëndësishëm për vendin dhe procesi i filluar në këtë drejtim nuk ka kthim pas.

Sipas tij, të gjithë deputetët të cilët votuan për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, votuan me bindje dhe pa pazare. Ahmeti tha se i gjithë procesi rreth ndryshimeve kushtetuese duhet të rrumbullakohet nga mesi i janarit. Ai është shprehur kundër idesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke vlerësuar se ata nuk janë zgjidhje për problemet aktuale, kurse tha se BDI akoma nuk ka hequr dorë nga presidenti konsensual.

Loading...

“Nuk është zgjidhje organizimi i zgjedhjeve të parakohshme. Ne duam president konsensual”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti u prononcua edhe rreth zhvillimeve partiake pa përjashtuar mundësinë e riformatimit qeveritar.

“Deri më tani nuk ka asgjë, nuk është biseduar, por nuk bëhet kiameti nëse ka bisedime dhe nëse ka dakordësi mes partnerëve të koalicionit”,– u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke komentuar formimin e Komisionit për pajtim, theksoi se iniciativa është e kryeministrit, Zoran Zaev.

“Kjo iniciativë u prezantua nga kryeministri në Parlamentin e Maqedonisë, u përkrah nga shumica parlamentare dhe mendoj që është një zgjidhje që të ulen palët të bisedojnë dhe të ndëshkohen fajtorët”, ka thënë Ahmeti.